Vaginoza bakteriale paraqet infeksionin më të shpeshtë te fermat
në fazën reproduktive. Këtu bëjnë pjesë 60% e infeksioneve
vulvovaginale. Vaginoza bakteriale ndodh në rastet e çrregullimit të
baraspeshës së baktereve në vaginë dhe kur dominion një lloj i tyre. Normalisht
vagina përmban një numër të madh bakteresh "të mira”, dhe disa lloje
bakteresh "të këqija”. Vaginoza bacteriale ndodh kur rritet numri i
baktereve të këqija në raport me bakteret e mira
Shkaktarët. Vaginoza bakteriale ndodh si rezultat i
çrregullimit të baraspeshës së baktereve në vaginë. Lactobacillusi
(bakter i mirë) metabolizon glikogjenin në acid laktik në vaginë dhe
kështu ruan pH normale të vaginës, e cila siguron mbrojtjen e
vetvetishme nga bakteret e këqija. Kur kjo mbrojtje dobësohet, bakteret
tjera të pranishme në vaginë (Bacteroides sp, Peptostreptococcus sp,
Gardnerella vaginalis, G. Mobiluncus, Mycoplasma hominis) fillojnë të
shumohen dhe shkaktojnë simptoma. Afërsisht 50% e femrave përmbajnë
Gardnerella vaginalis në florën normale të vaginës, e cila nuk shkakton
infeksion. Antibiotikët me spektër të gjerë veprimi mund t’i
shkatërrojnë bakteret e mira , mund të shkatërrojnë florën normale të
vaginës dhe të shkaktojnë vaginozën bakteriale. Larja e shpeshtë,
përdorimi i gjatë i tamponëve, pecetat intrauterine kontraceptive,
diafragmat dhe gjërat e ngjashme, mund ta prishin këtë baraspeshë.
Vaginoza bakteriale, po ashtu ndërlidhet edhe me ndërrimin e shpeshtë të
partnerit seksual duke mos përdorur prezervativë gjatë kontaktit
seksual.
Simptomat. Rrjedha e lëngut me aromë të pakëndshme,
të kruarit dhe tejndjeshmëria, janë simptomat më të shpeshta të
vaginozës bakteriale, ndërsa më së shpeshti janë të pranishëm gjatë
kontaktit seksual dhe menstruacioneve. Mund të jetë i pranishëm edhe
lëngu i dendur, i ngjitshëm me ngjyrë të bardhë ose të hirit, nga katër
ditë deri në katër javë pas kontaktit. Rritja e pH së vaginës po ashtu
konsiderohet i simptomë e sëmundjes.
Duhet theksuar se disa femra nuk kanë aspak simptoma.
Komplikimet. Vaginoza bakteriale ndërlidhet me sëmundjet inflamatore,
papjellshmërinë, shtatzëninë jashtëmitrale, lindjen e parakohshme dhe
lindjen e foshnjës me peshë të vogël trupore.
Mjekimi. Vaginoza bakteriale mjekohet me
antibiotikë. Më së shpeshti jepen metronidazoli dhe klindamicina. Te
vaginoza bakteriale nuk është i nevojshëm edhe mjekimi i partnerit
seksual.
Parandalimi. Ende nuk janë të njohura mënyrat më të
mira të mbrojtjes, mirëpo disa nga metodat e mëposhtme mund ta
zvogëlojnë rrezikun për ta fituar sëmundjen:
- Abstinenca. Mënyra më e mirë për ta parandaluar një sëmundje
seksualisht të transmetuara është shmangia e kontaktit seksual vaginal,
oral dhe anal.
- Njohja e partnerit zvogëlon mundësinë e infektimit
- Përdorimi i prezervativëve gjatë çdo kontakti vaginal, oral ose anal.
- Shmangia e larjes së shpeshtë të regjionit gjenital
- Kontrollet e rregullta gjinekologjike
- Gjatë përdorimit të antibiotikëve duhet pasur kujdes në marrjen e
dozës së plotë të rekomanduar, me qëllim që simptomat të mos rikthehen.
|