Vetëvrasja - Forumi Kosova Pc
Kliko për të hyrë
Kliko për tu regjistruar nëse nuk e keni bërë deri tani!

www.KosovaPc.Tk · [ Postimet e Reja · Antarët · Rregullat dhe Ndihma! · Kërko · RSS ]
 
Prezantimi
Tema Shoqërore
Romanca
Lajme
Receta Gatimi
Psikologjia
Shëndeti
Informatika
Sport
Argëtim & Zbavitje
...Ndihma!
Page 1 of 11
Forumi Kosova Pc » Shkenca dhe Teknologjia » Psikologjia » Vetëvrasja
Vetëvrasja
KosovaPcDate: E Martë, 30.Nëntor.2010, 6:01 PM | Message # 1
Rreshter
Group: Administrators
Messages: 46
Awards: 0
Reputation: 0
Status: Offline
Kush janë shkaqet që pothuajse cdo ditë ndodhin vetëvrasje në Shqiperi?
Pse një njeri kryen vetëvrasje?
Cfarë mendimi keni ju në lidhje me këtë fenomen?

Me vetvrasje do të kuptojmë veprimin e një personi për të shkaktuar vdekjen e vet, për t’i shpëtuar një situate të gjykuar të padëshirueshme për të. Për herë të parë termi vetëvrasje (suicid) është përdorur në shekullin XIII. Më parë quhej “vrasja” (homicid) e vetëvetes.
Depressioni është paraprijës i shumicës së vetëvrasjeve. Vetëvrasja është pasoja më e tmershme e depresionit bipolar apo atij unipolar.
Sot në botë nga vetëvrasja vdesin rreth 1 milion njerëz për çdo vit. Sipas Organizatës Botërore të shë ndetësisë në çdo 40 sekonda në botë dikush bën vetëvrasje. Vetëvrasja tani zë vendin e tetë në botë, në mesin e shkaqeve kryesore të vdekjes në popullatën e përgjithshme dhe madje është shkaku i tretë kryesor i vdekjes së individëve të moshave ndërmjet 15 dhe 24 vjeç.
Ndonjëherë, vetvrasja është menduar edhe si vepër e arsyes së lartë. Seneka, një filozof romak ka thë në: “Jeta nuk është e mirë, përveç jetës së mirë. Prandaj, njeriu i mençur jeton mirë aq sa duhet, e jo aq gjatë sa mundet… Ai gjithmonë duhet ta mendojë jetën në kushtet e cilësisë e jo në të sasisë … Vdekja e hershme apo e vonshme nuk ka rëndësi, vdekja e mirë apo nga sëmundja ka”.
Shumë vende të botës kanë qëndrime nderuese apo lavdëruese rreth vetëvrasjes. Në Japoni vetvrasja është një akt i glorifikuar. Ata besojnë se vetëvrasja është “një zgjidhje krenare e problemeve të pazgjidhura”. Edhe pse shumë kultura e pranojnë vetëvrasjen, në të shumtën e rasteve ajo konsiderohet si një akt i mjerë për dalje nga situata. Vetëvrasja në shumicën e shoqërive është e ndaluar. Shumica e religjoneve e konsiderojnë atë si mëkat, ndërsa në disa shtete ajo është edhe krim.
Vetvrasja nuk është mishërim i forcës dhe shpesh vjen pas një periudhe të gjatë depresioni. Vetëvrasja duket sikur të jetë zgjidhja e problemeve kur personi mendon se tani nuk ka zgjidhje për problemet e tij.
Nga pikë pamjajuridike, kryerja e vetëvrasjes në shumicën e vendeve të botës nuk konsiderohet si krim. Ndërsa, ndihma që jepet për shkaktimin e vetëvrasjes, në shumë vende konsiderohet si krim për të cilin parashikohen dënime deri me 15 vjet burgim. Hulumtimi i parë shkencor për vetëvrasjen është kryer nga Emil Dyrkemi (Emil Durkheim 1858-1917). Në vitin 1897 ai botoi njërin nga librat më të rëndësishëm në sociologi, “Vetëvrasja: një studim në sociologji”.

 
KosovaPcDate: E Martë, 30.Nëntor.2010, 6:02 PM | Message # 2
Rreshter
Group: Administrators
Messages: 46
Awards: 0
Reputation: 0
Status: Offline
Faktorë të përgjithshëm të rrezikut nga vetëvrasja

1. Serioziteti mjeksorë i tentativave të mëparshme
2. E kaluara me tentativa vetvrasjeje
3. Ideacioni akut suicidal
4. Atraksioni/ngazëllimi ndaj vdekjes
5. Ndjenja e humbjes së shpresës
6. Historia familjare e vetvrasjeve
7. Mbidozimi me alkool
8. Humbja/Ndarjet

Faktorë të rrezikut për vetëvrasje tek të miturit

1. Tentativat e mëparshme për vetëvrasje
2. Depresioni ose abuzimi me substancat
3. Prania e hershme e çregullimeve mendore
4. Situata stresuese apo humbja e dikujt
5. Vetëvrasje në familje

Dallimet gjinore dhe vetëvrasja

Femrat bëjnë përafërsisht tri herë më shumë tentativa të vetëvrasjes se sa meshkujt, mirëpo meshkujt aktualisht arrijnë të vrasin veten tri herë më shumë se sa femrat.
Këto dallime/divergjenca duket se janë zvogëluar paksa viteve të fundit. Shkalla e lartë e tentativave të vetëvrasjes tek femrat është e lidhur me faktin se depresioni ato i godet më shumë se burrat, përderisa shkalla e vetëvrasjeve të “suksesshme” tek meshkujt ndoshta ka të bëjë me metodat të cilat ata i zgjedhin për të bërë vetëvrasje; gratë zgjedhin metoda më pak vdekjeprurëse, siç janë: prerja e nyjes së dorës dhe marrja e sasisë së tepërt të pilulave të gjumit; për ndryshim nga meshkujt të cilët zgjedhin të vrasin me armë veten ose të hidhen nga ndërtesat. Shkalla më e lartë e vetëvrasjeve si tek meshkujt apo tek femrat paraqitet tek të shkurorëzuarit dhe të vejat; vetmia ashtu si dhe mënyra e të kuptuarit të dëmtimit të çështjes personale sigurisht se kontribuon në këtë statistikë. Mashkulli i cili vret veten është i prirë që të motivohet në dështimin e tij në punë kurse femra e cila vret veten është e prirë që motivin për një gjë të tillë ta gjejë në dështimin e saj në dashuri.

Mosha dhe Vetëvrasja

Tek fëmijët nën moshën 14 vjeçare, rastet e vetëvrasjes janë të rralla. Mirëpo, fëmijët mbi këtë moshë të cilët janë vetëvrasës, kanë një personalitet impulsiv dhe hiperaktiv, tregojnë pak dhembje dhe kanë prindër që i abuzojë dhe i neglizhojnë.
Vetëvrasja tek të rinjtë është në rritje e sipër. Në 35 vitet e fundit vetëvrasja tek studentët është trefishuar. Meshkujt ndërmjet moshës 20 dhe 24 vjeç janë më të goditurit. Dy studime të autopsive psikologjike të vetëvrasjeve te kjo moshë kanë bërë të ditur përfshirjen e përdorimit të drogës dhe depresionit si paraprijës të vetëvrasjes.
Në një studim të bërë nga David Shaffer nga Universiteti i Kolumbias ishin analizuar 160 të rinjë që kishin vrarë veten në Nju Jork nga viti 1984 deri në 1986. Ai kishte gjetur shtrirje/mbizotërim të njëjtë të substancave narkotike, por më pak çrregullime depresive. Shumica e vetëvrasjeve ishin bërë nga meshkujt; ata dominonin si në zgjedhjen e armëve vdekjeprurëse për të bërë vetëvrasje, po ashtu edhe në numrin e tentativave për vetëvrasje.
Shkalla e vetëvrasjeve në mënyrë dramatike shënon rritje nga mosha e mesme deri në atë të pleqërisë. Shtimi i depresionit, vetmia, shpërngulja në lokalitete të panjohura, humbja e kuptimit të familjes dhe shoqërisë si dhe humbja e personave që i do janë sigurisht disa prej faktorëve që ndikojnë në shkallën e lartë të vetëvrasjeve tek mosha e vjetër. Në kulturat dhe komunitetet në të cilat të moshuarit janë të respektuar dhe mbesin persona të rëndësishëm në jetën e familjes, vetëvrasjet janë shumë të rralla.
Percy Brigdman, fitues i çmimit Nobel në fizikë dhe pozitivist i njohur amerikan, qëlloi për vdekje veten në moshën 80 vjeçare. Ai ishte i sëmurë nga kanceri dhe kishte dhembje të mëdha. Një ditë para se ta vriste veten, ai ua kishte postuar Universitetit të Harvardit indeksin e veprave të tij të përmbledhura.

 
KosovaPcDate: E Martë, 30.Nëntor.2010, 6:02 PM | Message # 3
Rreshter
Group: Administrators
Messages: 46
Awards: 0
Reputation: 0
Status: Offline
Ndikimet gjenetike

Rreziku për vetëvrasje është rreth katër herë më i lartë se mesatarja në të afërmit e një personi që ka kryer vetëvrasje dhe gjashtë herë më i lartë në fëmijët e adoptuar të një prindi biologjik që kryen vetëvrasjen. Mendohet se kjo lidhet dhe me neurotransmetuesin serotoninë.
Njerëzit e depresuar kanë nivele të ulta të serotoninës dhe kanë tendenza të larta për suicid.
Mendohet se një kombinim i impulseve të agresivitetit dhe ndjenjës së pashpresshmërisë, shoqëruar këto edhe me defiçiencën e serotoninës, që ndodh më tepër te burrat se te gratë, shpjegon faktin se pse burrat vetvriten më shpesh se gratë edhe pse këto të fundit kanë një probabilitet më të madh të vuajnë nga depresioni.

Klasifikimi kryesor i vetëvrasjeve; Arsyet/Motivet e tyre.

Në studimin e parë bashkëkohor lidhur me vetëvrasjen, sociologu i njohur francez Emil Durkheim ka theksuar tri motive të vetëvrasjeve, të gjitha prej tyre janë të lidhura ngushtë me mënyrën se si një person e gjen vendin e tij në shoqëri.
Durkheim këto motive i ka quajtur anomike, egoiste, altruiste dhe fataliste.
Vetëvrasja anomike karakterizohet me çrregullime të rënda dhe shpërthen nga prishja e marrdhënieve të një individi me shoqërinë e tij; humbja e vendit të punës, depresionit ekonomik, pasurimit të papritur, ndërrimi i sistemit shoqëror etj.
Vetëvrasja egoiste ndodh atëherë kur personi ka shumë pak lidhje me shoqërinë e tij. Kërkesat shoqërore, ndër to kryesisht kërkesa për të jetuar, nuk e arrinë individin egoist.
Vetëvrasja altruiste, është vetëvrasje që kërkohet nga shoqëria, nga grupi social ku individi është i integruar. Individi e jep jetën e vet në mënyrë që shoqëria e tij të përfitojë. Hara-kiri është një lloj prej vetëvrasjeve altruiste. Murgët budistë që dogjën veten e tyre deri në vdekje si shenjë e protestës ndaj padrejtësive të luftës së Vietnamit janë përkujtues të atyre individëve që bëjnë vetëvrasje altruiste. Ka edhe kulte të ndryshme (disa sekte sataniste, “Tempulli i Davidit” etj) të cilat si pjesë të ritualeve të tyre kanë vetëvrasjet.
Në fund të këtij klasifikimi kemi edhe vetëvrasjen fataliste. Ky lloj i vetëvrasjes të cilin Durkhemi e kishte përshkruar në një fusnotë, karakterizohet me një mënyre të rregullacionit apo të të rregulluarit të shtuar apo të tepërt. Këto janë shumë të rralla dhe ndodhin atëherë kur individi e vlerëson se rrethanat në të cilat ai jeton janë bërë thjeshtë të papërballueshme. Kështu p.sh. shërbëtorët dhe skllevërit të cilët nuk mund të përballojnë rregullat e imponuara mbi ta, ushtari i cili nuk i përballon urdhërat etj. mund të vetvriten.
Mendimtarët bashkëkohorë shohin edhe dy motive të tjera fondamentale që shtyejnë në vetëvrasje:
Dhënia fund (mbarimi) dhe manipulimi. Ata që dëshirojnë mbarim, thjeshtë janë dorëzuar. Shtrëngimi / vuajtja e tyre emocionale është e patolerueshme dhe ata nuk shohin asnjë zgjedhje tjetër. Vdekjen e shohin si përfundim të të gjitha problemeve të tyre. 56% të tentativave të vetëvrasjes të shqyrtuara në studime sistematike janë klasifikuar se si këta persona kishin tentuar të arrijnë një ndalje/ fund ( angl: surcease). Këto tentime të vetëvrasjes kanë qenë të përcjella me depresion, pesimizëm të madh dhe gjithashtu viktimat kanë qenë të prirë që të jenë më vdekjeprurës se sa të mbeten vetëm në tentim-vetëvrasje (Beck, 1976).
Si motivim tjetër për të bërë vetëvrasje (apo për të tentuar vetëvrasjen) është edhe dëshira për të manipuluar njerëzit e tjerë me tentim-vetëvrasjeje. Disa dëshirojnë të manipulojnë botën që mbetet pas vdekjes: të kenë fjalën e fundit si argument, t’i hakmerren dikujt për shkak të dashurisë së refuzuar, t’ia shkatërrojë jetën ndonjë personi etj. Zakonisht me anë të vetëvrasjes së manipuluar, personi ka për qëllim të mbetet gjallë, mirëpo përmes seriozitetit të dilemës së tij, ai thërret në ndihmë ata të cilët janë të rëndësishëm tek ai.
13% e tentativave të vetëvrasjeve janë vetëvrasje manipulative; këto vetëvrasje janë të përcjellura me më pak depresion, me më pak pesimizëm dhe më me pak metoda vdejkjeprurëse se sa tentativat tek vetëvrasjet me motive të dhënies fund apo mbarimit (surcease) (Beck 1976). Vetëvrasjet manipuluese qartazi janë thirrje për ndihmë, por duhet pasur të qartë se jo të gjitha vetëvrasjet janë njëkohësisht edhe thirrje për ndihmë. Ata persona që dëshirojnë të ikin ngaqë jeta nuk është diçka që ia vlen për të jetuar, janë persona që nuk thërrasin për ndihmë, por për t’i dhënë fund telasheve të tyre. 31% e tentativave të vetëvrasjeve janë “të kombinuara”; kombinim i motiveve për të dhënë fund dhe i qëllimeve manipulative. Këtu personi nuk është i sigurt se a dëshiron të jetojë apo të vdes, a dëshiron “surcease” apo ndryshim në botën e tij. Në këtë grup të pavendosur, sa më shumë pesimizëm dhe depresion që e godet personin aq më të forta do të jenë motivet “surcease” për të tentuar vetëvrasje (Beck, Rush Shaw dhe Emery; 1979).

Vetëvrasjet aktive dhe pasive

Për disa njerëz zgjedhja e mënyrës për të kryer vetëvrasjen është një vendim i shqyrtuar me kujdes përderisa të tjerët marrin spontanisht mjetet më të afërta kur të mbërrijnë në pikën e dëshpërimit të skajshëm. Bazuar në mënyrën e kryerjes së tyre, shpesh përmendet një ndarje e vrazhdë e vetëvrasjeve në dy kategori që janë emërtuar “vetëvrasje aktive” dhe “vetëvrasje pasive”.
Metodat aktive të vetëvrasjes konsiderohen; e shtëna me armë zjarri, kërcimi nga lartësitë etj, pra metoda këto që prijnë të jenë të rrëmbyeshme (të shpejta) dhe efektive dhe lejojnë fare pak hapësirë për ndonjë ndërprerje apo kohë për rishqyrtim.
Metodat pasive përfishjnë mbidozimin, gazimin (helmimin me gaz), ngulfatjen në ujë etj. Pra metoda të cilat janë më pak të tejdhunshme dhe të cilat mund të lejojnë hapësirë për intervenim, apo kohë për rikonsiderim.

Dilemat dhe motivet në vetëvrasjen e të rinjëve

Vetëvrasja e të rinjëve është nje problem në rritje në shoqërine bashkëkohore. Ka shumë faktorë që kontribojnë dhe shumë mënyra që mund ta ndalojnë vetëvrasjen. Nëse shoqëria mundohet të parandalojë, atëherë numri i vetëvrasjeve do të zvogëlohet shumë.
Ka shumë faktorë që kontribojnë në vetëvrasjen e të rinjëve. Disa prej këtyre faktorëve janë çrregullimet psikologjike, varësia në substanca kimike, dhe pasiguria në identitetin seksual. Është vërtetuar që tek të rinjtë të cilët kanë çrregullime psikologjike numri i atyre që tentojnë të vetërvriten është shumë më i madh se i atyre që nuk kanë çrregullime. Gjithashtu është gjetur se të rinjtë që tentojnë vetëvrasje vijnë nga familjet jo funksionale që kanë pësuar trauma të vazhdueshme. Këta të rinjë janë në depresion të vazhdueshëm dhe ekstrem dhe kanë probleme të sjelljes. Tek të rinjtë që kanë përjetuar abuzim fizik dhe seksual është gjetur se numri i vetëvrasjeve është shumë më i madh se i atyre që nuk kanë përjetuar këto abuzime. Të rinjtë që kanë elemente vetëvrasjeje në veten e tyre shumë shpesh kanë notë mesatare të ulët ne shkollë. Në vitin 1987 është bërë një studim për nxënësit e shkollave të mesme dhe është vërtetuar se statusi akademik i të rinjëve me tendenca suicidale ka qenë shumë i ulët. Është gjetur se prindërit e këtyre fëmijëve kanë probleme bashkëshortore, probleme në lidhje me profesionin e tyre dhe probleme me të qenurit prind.
Shkenctarët A.F. Henry dhe J.F. Short kanë ardhur në një konkluzion interesant: se vetëvrasja ndodh tek ata persona të cilët nuk janë të lumtur, pa pasur ndonjë burim të jashtëm për fajësim. Ata dallojnë nga personat të cilët kanë ndonjë burim të jashtëm, siç është varfëria, për ta fajësuar. Këta të fundit tentojnë të jenë agresivë ndaj forcave të jashtme sesa të mendojnë për vetëvrasje. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë gjithnjë duhet ta kemi parasysh se krahasuar me të kaluarën të rinjtë e sotëm kanë shumë më pak faktorë të jashtëm që t’u shkaktojnë vuajtje. Zvogëlimi i varfërisë, edukimi më i mirë, ruajtja e bërthamës familjare dhe shpenzimet për mirëqenien e për shërbimet e fëmijëve që janë rritur dukshëm, janë disa prej këtyre faktorëve. Edhe përkundër këtyre, numri i vetëvrasjeve tek të rinjtë është rritur.
Disa ngjarje shpesh ndodhin në jetën e të riut të cilat kanë potencial të shpiejnë personin jashtë arsyes racionale. Në këto ngjarje numërohen humbjet personale, problemet me shkollën, apo konfliktet me familjen. Në humbjet personale nënkuptohet; vdekja e prindit, humbja e shokut, mbarimi i lidhjes romantike. Këto ngjarje mund të jenë shkatërrimtare për keqësimin e gjendjes emocionale të një të riu duke e çuar atë në depresion të thellë.
Konflikti mes familjes dhe të rinjëve përkatësisht konflikti mes gjeneratave ëshë një problem i shoqërisë moderne. Shpeshherë adoleshentet do t’i keqkuptojnë këto konflikte dhe do ta ndiejnë veten vazhdimisht të poshtëruar. Kjo ndjenjë konstante e të qenurit i poshtëruar ka tendenca që ta shpie adoleshentin në një gjendje vetëvrasjeje.

 
KosovaPcDate: E Martë, 30.Nëntor.2010, 6:02 PM | Message # 4
Rreshter
Group: Administrators
Messages: 46
Awards: 0
Reputation: 0
Status: Offline
Parandalimi i vetëvrasjes.

E vetmja mënyrë është përmes trajtimit të depresionit dhe çregullimeve të tjera emocionale. Progame informative shkollore, masmedia dhe ndërhyrja e saj kanë treguar se nuk janë të efektshme.
Një tjetër metodë mendohet të jetë vendosja e linjave telefonike dhe këshillimi urgjent në rast krize, por problemi në këto raste ka qënë fakti se jo të gjithë ata që kanë telefonuar ose telefonojnë janë duke tentuar vetëvrasjen, dhe shumë tentues janë aq të vetmuar sa s’marrin në telefon gjatë krizave të tyre.
Shpesh pacientët depresivë shpresojnë të pyeten nga doktori ose terapisti i tyre për episodet vetëvrasëse ose mendimet, por realisht ata nuk pyeten.

Shneidman mendon për disa hapa në rastet vetëvrasëse me terapinë me ta:
1. Vendosja e një marrëdhënie pozitive. Besimi te këshlluesi. Këshilluesi duhet të jetë dëgjues, kuptues, i interesuar, jo paragjykues dhe i gatshëm.
2. Kuptimi dhe qartësimi i problemit.
3. Vlersimi i potencialit suicidal.
4. Vlersohen dhe mobilizohen burimet e personit.
5. Formulohet një plan.

 
Forumi Kosova Pc » Shkenca dhe Teknologjia » Psikologjia » Vetëvrasja
Page 1 of 11
Search: