Ndikimet gjenetike Rreziku për vetëvrasje është rreth katër herë më i lartë se mesatarja në të afërmit e një personi që ka kryer vetëvrasje dhe gjashtë herë më i lartë në fëmijët e adoptuar të një prindi biologjik që kryen vetëvrasjen. Mendohet se kjo lidhet dhe me neurotransmetuesin serotoninë.
Njerëzit e depresuar kanë nivele të ulta të serotoninës dhe kanë tendenza të larta për suicid.
Mendohet se një kombinim i impulseve të agresivitetit dhe ndjenjës së pashpresshmërisë, shoqëruar këto edhe me defiçiencën e serotoninës, që ndodh më tepër te burrat se te gratë, shpjegon faktin se pse burrat vetvriten më shpesh se gratë edhe pse këto të fundit kanë një probabilitet më të madh të vuajnë nga depresioni.
Klasifikimi kryesor i vetëvrasjeve; Arsyet/Motivet e tyre.
Në studimin e parë bashkëkohor lidhur me vetëvrasjen, sociologu i njohur francez Emil Durkheim ka theksuar tri motive të vetëvrasjeve, të gjitha prej tyre janë të lidhura ngushtë me mënyrën se si një person e gjen vendin e tij në shoqëri.
Durkheim këto motive i ka quajtur anomike, egoiste, altruiste dhe fataliste.
Vetëvrasja anomike karakterizohet me çrregullime të rënda dhe shpërthen nga prishja e marrdhënieve të një individi me shoqërinë e tij; humbja e vendit të punës, depresionit ekonomik, pasurimit të papritur, ndërrimi i sistemit shoqëror etj.
Vetëvrasja egoiste ndodh atëherë kur personi ka shumë pak lidhje me shoqërinë e tij. Kërkesat shoqërore, ndër to kryesisht kërkesa për të jetuar, nuk e arrinë individin egoist.
Vetëvrasja altruiste, është vetëvrasje që kërkohet nga shoqëria, nga grupi social ku individi është i integruar. Individi e jep jetën e vet në mënyrë që shoqëria e tij të përfitojë. Hara-kiri është një lloj prej vetëvrasjeve altruiste. Murgët budistë që dogjën veten e tyre deri në vdekje si shenjë e protestës ndaj padrejtësive të luftës së Vietnamit janë përkujtues të atyre individëve që bëjnë vetëvrasje altruiste. Ka edhe kulte të ndryshme (disa sekte sataniste, “Tempulli i Davidit” etj) të cilat si pjesë të ritualeve të tyre kanë vetëvrasjet.
Në fund të këtij klasifikimi kemi edhe vetëvrasjen fataliste. Ky lloj i vetëvrasjes të cilin Durkhemi e kishte përshkruar në një fusnotë, karakterizohet me një mënyre të rregullacionit apo të të rregulluarit të shtuar apo të tepërt. Këto janë shumë të rralla dhe ndodhin atëherë kur individi e vlerëson se rrethanat në të cilat ai jeton janë bërë thjeshtë të papërballueshme. Kështu p.sh. shërbëtorët dhe skllevërit të cilët nuk mund të përballojnë rregullat e imponuara mbi ta, ushtari i cili nuk i përballon urdhërat etj. mund të vetvriten.
Mendimtarët bashkëkohorë shohin edhe dy motive të tjera fondamentale që shtyejnë në vetëvrasje:
Dhënia fund (mbarimi) dhe manipulimi. Ata që dëshirojnë mbarim, thjeshtë janë dorëzuar. Shtrëngimi / vuajtja e tyre emocionale është e patolerueshme dhe ata nuk shohin asnjë zgjedhje tjetër. Vdekjen e shohin si përfundim të të gjitha problemeve të tyre. 56% të tentativave të vetëvrasjes të shqyrtuara në studime sistematike janë klasifikuar se si këta persona kishin tentuar të arrijnë një ndalje/ fund ( angl: surcease). Këto tentime të vetëvrasjes kanë qenë të përcjella me depresion, pesimizëm të madh dhe gjithashtu viktimat kanë qenë të prirë që të jenë më vdekjeprurës se sa të mbeten vetëm në tentim-vetëvrasje (Beck, 1976).
Si motivim tjetër për të bërë vetëvrasje (apo për të tentuar vetëvrasjen) është edhe dëshira për të manipuluar njerëzit e tjerë me tentim-vetëvrasjeje. Disa dëshirojnë të manipulojnë botën që mbetet pas vdekjes: të kenë fjalën e fundit si argument, t’i hakmerren dikujt për shkak të dashurisë së refuzuar, t’ia shkatërrojë jetën ndonjë personi etj. Zakonisht me anë të vetëvrasjes së manipuluar, personi ka për qëllim të mbetet gjallë, mirëpo përmes seriozitetit të dilemës së tij, ai thërret në ndihmë ata të cilët janë të rëndësishëm tek ai.
13% e tentativave të vetëvrasjeve janë vetëvrasje manipulative; këto vetëvrasje janë të përcjellura me më pak depresion, me më pak pesimizëm dhe më me pak metoda vdejkjeprurëse se sa tentativat tek vetëvrasjet me motive të dhënies fund apo mbarimit (surcease) (Beck 1976). Vetëvrasjet manipuluese qartazi janë thirrje për ndihmë, por duhet pasur të qartë se jo të gjitha vetëvrasjet janë njëkohësisht edhe thirrje për ndihmë. Ata persona që dëshirojnë të ikin ngaqë jeta nuk është diçka që ia vlen për të jetuar, janë persona që nuk thërrasin për ndihmë, por për t’i dhënë fund telasheve të tyre. 31% e tentativave të vetëvrasjeve janë “të kombinuara”; kombinim i motiveve për të dhënë fund dhe i qëllimeve manipulative. Këtu personi nuk është i sigurt se a dëshiron të jetojë apo të vdes, a dëshiron “surcease” apo ndryshim në botën e tij. Në këtë grup të pavendosur, sa më shumë pesimizëm dhe depresion që e godet personin aq më të forta do të jenë motivet “surcease” për të tentuar vetëvrasje (Beck, Rush Shaw dhe Emery; 1979).
Vetëvrasjet aktive dhe pasive
Për disa njerëz zgjedhja e mënyrës për të kryer vetëvrasjen është një vendim i shqyrtuar me kujdes përderisa të tjerët marrin spontanisht mjetet më të afërta kur të mbërrijnë në pikën e dëshpërimit të skajshëm. Bazuar në mënyrën e kryerjes së tyre, shpesh përmendet një ndarje e vrazhdë e vetëvrasjeve në dy kategori që janë emërtuar “vetëvrasje aktive” dhe “vetëvrasje pasive”.
Metodat aktive të vetëvrasjes konsiderohen; e shtëna me armë zjarri, kërcimi nga lartësitë etj, pra metoda këto që prijnë të jenë të rrëmbyeshme (të shpejta) dhe efektive dhe lejojnë fare pak hapësirë për ndonjë ndërprerje apo kohë për rishqyrtim.
Metodat pasive përfishjnë mbidozimin, gazimin (helmimin me gaz), ngulfatjen në ujë etj. Pra metoda të cilat janë më pak të tejdhunshme dhe të cilat mund të lejojnë hapësirë për intervenim, apo kohë për rikonsiderim.
Dilemat dhe motivet në vetëvrasjen e të rinjëve
Vetëvrasja e të rinjëve është nje problem në rritje në shoqërine bashkëkohore. Ka shumë faktorë që kontribojnë dhe shumë mënyra që mund ta ndalojnë vetëvrasjen. Nëse shoqëria mundohet të parandalojë, atëherë numri i vetëvrasjeve do të zvogëlohet shumë.
Ka shumë faktorë që kontribojnë në vetëvrasjen e të rinjëve. Disa prej këtyre faktorëve janë çrregullimet psikologjike, varësia në substanca kimike, dhe pasiguria në identitetin seksual. Është vërtetuar që tek të rinjtë të cilët kanë çrregullime psikologjike numri i atyre që tentojnë të vetërvriten është shumë më i madh se i atyre që nuk kanë çrregullime. Gjithashtu është gjetur se të rinjtë që tentojnë vetëvrasje vijnë nga familjet jo funksionale që kanë pësuar trauma të vazhdueshme. Këta të rinjë janë në depresion të vazhdueshëm dhe ekstrem dhe kanë probleme të sjelljes. Tek të rinjtë që kanë përjetuar abuzim fizik dhe seksual është gjetur se numri i vetëvrasjeve është shumë më i madh se i atyre që nuk kanë përjetuar këto abuzime. Të rinjtë që kanë elemente vetëvrasjeje në veten e tyre shumë shpesh kanë notë mesatare të ulët ne shkollë. Në vitin 1987 është bërë një studim për nxënësit e shkollave të mesme dhe është vërtetuar se statusi akademik i të rinjëve me tendenca suicidale ka qenë shumë i ulët. Është gjetur se prindërit e këtyre fëmijëve kanë probleme bashkëshortore, probleme në lidhje me profesionin e tyre dhe probleme me të qenurit prind.
Shkenctarët A.F. Henry dhe J.F. Short kanë ardhur në një konkluzion interesant: se vetëvrasja ndodh tek ata persona të cilët nuk janë të lumtur, pa pasur ndonjë burim të jashtëm për fajësim. Ata dallojnë nga personat të cilët kanë ndonjë burim të jashtëm, siç është varfëria, për ta fajësuar. Këta të fundit tentojnë të jenë agresivë ndaj forcave të jashtme sesa të mendojnë për vetëvrasje. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë gjithnjë duhet ta kemi parasysh se krahasuar me të kaluarën të rinjtë e sotëm kanë shumë më pak faktorë të jashtëm që t’u shkaktojnë vuajtje. Zvogëlimi i varfërisë, edukimi më i mirë, ruajtja e bërthamës familjare dhe shpenzimet për mirëqenien e për shërbimet e fëmijëve që janë rritur dukshëm, janë disa prej këtyre faktorëve. Edhe përkundër këtyre, numri i vetëvrasjeve tek të rinjtë është rritur.
Disa ngjarje shpesh ndodhin në jetën e të riut të cilat kanë potencial të shpiejnë personin jashtë arsyes racionale. Në këto ngjarje numërohen humbjet personale, problemet me shkollën, apo konfliktet me familjen. Në humbjet personale nënkuptohet; vdekja e prindit, humbja e shokut, mbarimi i lidhjes romantike. Këto ngjarje mund të jenë shkatërrimtare për keqësimin e gjendjes emocionale të një të riu duke e çuar atë në depresion të thellë.
Konflikti mes familjes dhe të rinjëve përkatësisht konflikti mes gjeneratave ëshë një problem i shoqërisë moderne. Shpeshherë adoleshentet do t’i keqkuptojnë këto konflikte dhe do ta ndiejnë veten vazhdimisht të poshtëruar. Kjo ndjenjë konstante e të qenurit i poshtëruar ka tendenca që ta shpie adoleshentin në një gjendje vetëvrasjeje.